Këtë vit, pensionistët shqiptarë do të marrin një bonus të rëndësishëm për Vitin e Ri, duke i dhënë fund shpërblimit simbolik prej 50 mijë lekësh që kishte vite që aplikohej. Ekspertja e ekonomisë, Zana Guxholli, shpjegon se rritja e bonuseve deri në 200 mijë lekë për pensionistët është një masë konkrete që synon të ndihmojë ata të përballojnë inflacionin dhe nevojat e përditshme. Sipas Guxhollit, kjo masë është e rëndësishme sidomos për pensionistët me të ardhura të ulëta, që varen kryesisht nga buxheti i shtetit dhe solidariteti i të punësuarve.
“Bonuset prej 100 deri në 200 mijë lekë përfund vitit janë një ndihmë reale dhe një shenjë shprese për pensionistët”, thekson ekspertja gjatë një interviste për “Klan News”. Ajo shpjegon se ndërkohë që skema e pensioneve në Shqipëri ka mangësi dhe mbetet një sistem solidariteti, ndërhyrjet e tilla të përkohshme nga shteti ofrojnë mbështetje konkrete për të përballuar rritjen e çmimeve. “Këto bonuse nuk zgjidhin problemet e skemës në tërësi, por japin lehtësim të menjëhershëm dhe përmirësojnë standardin e jetesës për pensionistët,” thotë Guxholli. Sipas ekspertes, shpërblimet më të larta do të përfshijnë kryesisht ata që kanë pension më të ulët dhe nevoja të veçanta, ndërsa për kategoritë me pension më të lartë bonuset do të jenë më të ulëta, rreth 100 mijë lekë.
Kjo masë është pjesë e një politikë sociale të shtetit për të siguruar mbështetje për më të varfrit dhe për të ruajtur një nivel minimal dinjiteti për të gjithë pensionistët. Guxholli gjithashtu thekson se marrëveshjet ndërkombëtare për njohjen e viteve të punës nga vendet e tjera, si Italia, Greqia apo Gjermania, janë po ashtu një mënyrë për të garantuar një pension minimal për ata që kanë punuar jashtë vendit. Megjithatë, ndërhyrjet direkte të shtetit mbeten mënyra më e shpejtë dhe më efektive për të përmirësuar jetën e pensionistëve në periudhën afatshkurtër. Në përfundim, ky bonus fundviti prej 100 deri në 200 mijë lekësh sjell shpresë dhe ndihmë të prekshme për pensionistët shqiptarë, duke dhënë një impuls pozitiv për të përballuar sfidat ekonomike të jetesës së përditshme.
Pjesë nga intervista
-Duke pasur parasysh inflacionin, sidomos inflacionin e pensionistëve, dhe duke pasur parasysh nevojat e mëdha që ata kanë, kjo është mirë që është. A është pozitiv, zonja Guxholli, fakti që për shembull, edhe me qeverinë Rama, apo edhe me qeveritë e mëparshme, fundvitit ishte 50.000 lekë të vjetër, ose gjeli i famshëm i detit që diskutohej rreth 15 vjet, 20 vjet, pensionistëve? Fakti që ka një lëvizje të tillë dhe një ecuri për bonusin e pensioneve, është një farë shprese për pensionistët që edhe me skemën e tyre, jo vetëm për shpërblimin, por edhe më tej, mund të ketë një rritje?
Për fat të keq, megjithëse unë jam shumë në krahun e tyre, unë do të thoja që jo, sepse skema e pensioneve, siç kemi thënë gjithmonë, është një skemë që financohet ndryshe. Ajo merr nga buxheti një pjesë, sepse 400 milionë, 500 milionë, në mos gaboj, vendos buxheti i shtetit. Pra, nga taksat tona kalojnë te skema e pensioneve, kur skema e pensioneve, teorikisht dhe si funksionon në vendet e zhvilluara, është që vetëm mbahet. Paratë që lihen mënjanë nga individët menaxhohen në forma të ndryshme, shtohen sepse investohen dhe pastaj u kthehen në formë pensioni dhe janë të llogaritura në mënyrë të tillë që ai pension të jetë dinjitoz, që me atë pension të mos jenë kokulur dhe të varur nga fëmijët apo nga ndonjë lëmoshë tjetër shtetërore, por të jetojnë me dinjitet dhe bile të gëzojnë jetën në ato vite që nuk kanë më angazhime orari dhe paraqitje në punë, apo dhe familjare, se në përgjithësi në atë kohë i ke fëmijët e rritur. Për fat të keq, këtë skema jonë nuk e bën dot.
Është një skemë deficitare. Është një skemë që për momentin bazohet në shtyllën e parë, në pensionin e detyruar, Pay as you go, dhe është skemë solidariteti. Ne që punojmë mbajmë pensionistët, sepse pensionistët ose kanë pak vite pune nga emigrimi, ose nga shkëputja, nga mungesa e punëve në treg. Ose, të gjithë janë shumë pak të paguar, dhe pensioni është funksion i kohës në të cilin ke kontribuar dhe i rrogës me të cilën je paguar. Pensionet tona janë shumë të ulëta. Mbahen pjesërisht nga buxheti, pjesërisht nga kontributet e të tjerëve, të solidarëve, që paguajnë në këtë skemë. Futja e pensionit privat, që ka disa vite, ndryshon në një farë mënyre atë pagesën, por jo për të gjithë dhe jo tani. E keqja e skemës së pensionit është që çfarëdo lloj ndryshimi që do të bëhet tani, futja e tre shtyllave, ajo shtylla tjetër ku në mënyrë të detyrueshme të investohet në fonde nga qeveria ose fonde private, këto e japin rezultatin në periudha 20-vjeçare, 30-vjeçare. Duke marrë parasysh këtë, shpresa për momentin është vetëm në qoftë se buxheti i shtetit shton pjesën e kontributit, merr ngjyrë sociale më shumë nga sa duhet, duke marrë parasysh gjendjen ose natyrën që ka natyra e punës në Shqipëri dhe se si paguhen, edhe komunizmi dhe pasoja që ka lënë me pagat e ulëta për pensionistët që janë aktualisht.
-Cila do të ishte skema më e përshtatshme, zonja Guuxholli? Cila është zgjidhja? Dakord, themi kemi pensione të ulëta, buxheti i shtetit fut aq sa mundet tek skema e pensioneve. Çfarë zgjidhje tjetër do të kishte që të bëhej rritja e pensioneve, në qoftë se ne kemi një skemë të tillë që ti merr aq sa ke futur te kjo skemë?
S’merr aq, merr më pak sepse u jep të tjerëve. Të punësuarit e komunizmit e kanë pasur zero kontributin, se nuk u trashëgua asnjë gjë nga ajo periudhë. U fillua që nga viti ’91 e tutje. Duhet të kalohet në skemat që përdor e gjithë bota. Për fat të keq, megjithëse si financiere nuk duhet ta them, duhet t’i qëndrojë faktit që në mënyrë drastike të shkohet drejt një skeme sa më të qëndrueshme dhe një skeme të vetëfinancueshme. Ne jemi vend shumë i varfër dhe i kemi të pamundur pensionistët. Një pjesë e tyre kanë cilësi, aftësi dhe kualifikime dhe mund të vazhdojnë të punojnë edhe pas moshës së pensionit, por pjesa më e madhe jo. Fatkeqësia tjetër është që plaga e emigrimit i ka bërë këta njerëz të shkojnë të punojnë jashtë, të humbin vitet e punës dhe njëkohësisht të mos kenë kontribut në skemë.
-Ka pasur disa marrëveshje të cilat cilësohen si pozitive?
Marrëveshjet janë pozitive, sepse me vende si Italia, me vende të tjera, janë bërë me gjithë ato vende, për hir të së vërtetës. Me Italinë dhe me vende të tjera që kanë shumë emigracion, janë më të rëndësishme. Këtu bie Greqia, Italia, Gjermania. Kjo të bën të garantosh pensionin minimal, sepse njeh vitet e punës nga Shqipëria, apo themi nga Italia. Në qoftë se më përpara nuk merrje dot pension, ishe zero. Pavarësisht se mund të kishe kontribuar 10 vjet dhe të mungonin pesë vjet, ato pesë vjet i merr nga Italia, emigranti dhe merr një pension minimal në Shqipëri, ose e kundërta. Në qoftë se ai do të mbushë vitet dhe të dalë në pension, merr vitet që ka të punës në Shqipëri dhe i shton atje. Por masa e pensionit nuk është se rritet shumë, është minimaliste.
Vetëm ndërhyrja e shtetit mund të korrigjojë pensionet e ulëta. Ndërsa njerëzit të cilët punojnë, vazhdojnë të punojnë me vite të zgjatura pune. Skema e pensionit duhet korrigjuar në thelb edhe për arsye të tjera. Ata që kontribuojnë, megjithëse vazhdojnë punojnë dhe kur kanë mbushur moshën e pensionit, paratë me të cilat kontribuojnë nuk rrisin pensionin, por hidhen në këtë thesin e solidaritetit. Kjo më kujtuat tani, se kur afrohesh në ato mosha që të prekin këto probleme, atëherë i kupton edhe më shumë. Mbetet buxheti i shtetit me fytyrën dhe formën sociale për të plotësuar boshllëkun e skemave që duhen filluar një orë më parë, në mënyrë që efekti të fillojë të merret sa më parë

